Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë, Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, avokatëve Milosh Deleviq, Ljubomir Pantoviq dhe Jovana Filipoviq, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, të 19 dhjetorit 2023, me të cilin iu vazhdua edhe për dy muaj masa e paraburgimit tre të dyshuarve.
“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPPS.nr.44/2023 të datës 19.12.2023, të pandehurve B.S, V.T dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muaj, ashtu që ndaj të pandehurve B.S dhe V.T masa e paraburgimit do të zgjasë deri më datën 24.02.2024, ndërsa të pandehurit D.M, kjo masë do t’i llogaritet deri me datën 25.02.2024. Të pandehurve B.S, V.T dhe D.M, masa e paraburgimit iu është vazhduar konform dispozitës së nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi.1.1 e 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 dhe paragrafi 1.3 të KPRK”, thuhet në njoftim.
Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit nga data 26 shtator 2023.
Ata dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. E vet Radoiçiq e kishte marrë përipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.


