Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se faturat e larta të energjisë elektrike janë goditja e radhës për familjet kosovare.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se “në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet “e fuqishme” të kësaj qeverie”
“Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, ka shkruar ai.
Kurse Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “babadimër të llojit të vet, që shpërndan me një dorë, e grabit me të dyja”.
Duke komentuar raportimet e qytetarëve për fatura të larta të energjisë elektrike, Tahiri ka akuzuar në Facebook për “qeverisje të të paaftëve dhe mashtruese”.
Me këtë rast ai ka ndërlidhur edhe vendimin e para një jave të Qeverisë, që t’u ndahen nga 100 euro shtesë për fundvit fëmijëve dhe pensionistëve.
“Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 – 350 euro. Kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve. Ky kryeministër është babadimri i llojit të vet, i cili shpërndanë me një dorë, e grabitë me të dy duart. Hajde tash kallxona se si KEDS-i përcakton çmimet, dhe se si ju nuk keni asgjë në dorë. Turp!”, ka shkruar ai.
Qytetarë të shumtë kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’u ankuar për faturat e energjisë në fund të vitit.


