Një gjykatë e Vatikanit dënoi të shtunën një ish-kardinal me pesë vjet e gjysmë burgim për krime financiare, shkruan BBC.
Angelo Becciu ishte përfshirë në një marrëveshje të diskutueshme për të blerë një pronë luksoze në Londër me fondet e kishës, që dyshohej se ishte si një investim. Ai akuzohej edhe për përvetësim dhe shpërdorim detyre.
Avokati i tij Fabio Viglione ka thënë se do ta apelojë vendimin.
Becciu u emërua kardinal në vitin 2018 dhe dha dorëheqjen në shtator 2020 pas hetimit për këtë marrëveshje.
Becciu ka shërbyer për gjashtë vjet si zëvendësues për punët e përgjithshme – zyrtari i dytë më i lartë – në Sekretariatin e Shtetit të fuqishëm të Vatikanit.
Në këtë pozicion, ai takohej çdo ditë me Papën dhe ishte një nga ndihmësit e tij më të besuar.
Në këtë periudhë ndodhi edhe skandali i marrëveshjes së pronave. U pagua me fonde off-shore dhe zyrat e sekretariatit u bastisën vitin e kaluar. Policia e Vatikanit sekuestroi dokumente dhe kompjuterë.


