Irani do të heqë kërkesat për viza për 33 vende, duke përfshirë shtetet e Gjirit si Arabia Saudite me të cilat Teherani kishte marrëdhënie të ftohta për vite me radhë.
“Ministria e turizmit beson se një politikë e dyerve të hapura do të shfaqë vendosmërinë e Iranit për t’u angazhuar me vende të ndryshme të botës”, raportoi Agjencia iraniane e lajmeve, shkruan Reuters.
Vendimi do të rrisë në 45 numrin e vendeve ose territoreve, qytetarët e të cilëve mund të vizitojnë Iranin pa pasur nevojë të marrin vizë.
Ky veprim është një tjetër hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Iranit dhe Arabisë Saudite, veçanërisht pas viteve të tensionit midis dy rivalëve të Gjirit prodhues të naftës.
Riadi dhe Teherani janë rreshtuar me palët kundërshtuese në Siri, Irak dhe Jemen në dekadën e fundit. Sulmet ndaj infrastrukturës saudite të naftës, për të cilat zyrtarët perëndimorë fajësojnë Iranin dhe forcat e tij përfaqësuese arabe, kërcënuan vitet e fundit se do ta çojnë Lindjen e Mesme në konflikt të mëtejshëm teksa Irani mohoi përfshirjen në ato sulme.
Irani dhe Arabia Saudite në mars ranë dakord të rivendosin marrëdhëniet e plota diplomatike, të ndërprera në vitin 2016. Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga Kina.
Shtetasit e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit janë përfshirë në vendimin për heqjen e vizave, përveç Bahreinit, me të cilin Teherani nuk i ka rikthyer ende lidhjet e plota.
ISNA dha një listë të plotë të vendeve, ku përfshiheshin Libani, Tunizia, India, disa vende të Azisë Qendrore, afrikane dhe “myslimane”. Vetëm një komb evropian aleat perëndimor ishte në listë, Kroacia.
Shtetasit e Omanit kishin qenë në gjendje të udhëtonin në Iran pa viza përpara këtij njoftimi.
Pelegrinët iranianë për herë të parë në tetë vjet do të fillojnë udhëtimin e rregullt në Arabinë Saudite nga 19 dhjetori, njoftuan mediat iraniane të mërkurën.


