Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Utrehtit në Holandë, Kushtrim Istrefi, ka shkruar në ‘Facebook”, se personat eminent të Këshillit të Evropës kanë publikuar raportin me gjetjet e tyre për kompatibilitetin e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës (KiE).
“Raporti nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësim të Kosovës në KE. Ai ofron rekomandime për përmirësim të gjendjes, por jo parakushte për anëtarësim”, tha ai.
Sipas tij, ky raport ofron gjëra me rendësi. “E sqaron se Kosova ka kontrolle efektiv në gjithë territorin e saj. Një gjetje e tille është tejet relevante sepse sipas kritereve të anëtarësimit në nenet 3-4 të Statutit të KE-së kërkon që shteti të mund të garantoj dhe zbatojë obligimet e saj në gjithë territorin e vendit”, tha ai.
Istrefi tha se në muajt në vijim, raportuesja për Kosove në APKE, zonja Bakojanis do të hartojë raportin e saj politik për anëtarësim.
“Ai raport së bashku me këtë do të dorëzohen në APKE për votim për anëtarësim. Pas kësaj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës pritet të marrë vendimin final për anëtarësim”, tha ai.


