Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve R.H ., H.T dhe J.H., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se R.H. ka lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, ndërsa H.T dhe J.H. nuk kanë inspektuar dhe kanë lejuar ndërtimin pa leje.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri, R.H., në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtje të Mjedisit në komunën e Deçanit, në katër raste të ndara, duke tejkaluar kompetencat e tij sipas detyrës zyrtare, ka lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjet përkatëse, që sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.
“Ndërsa, të pandehurit, H.T. në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit në komunën e Deçanit dhe i pandehuri, J.H, si person zyrtar në pozitën e shefit të sektorit për inspektim në këtë komunën, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, duke lejuar mbindërtimin e tri kateve të një objekti, me ç’rast kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftim.


