Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka kritikuar Qeverinë për, siç ka thënë ai, “skandalet e njëpasnjëshme”.
Gashi në seancën e Kuvendit ka kërkuar sqarime nga Qeveria për Gani Jakupin, i raportuar se është angazhuar këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike.
“Sot i drejtohem kuvendit dhe qytetarëve për të vënë theksin në tri skandale gjatë një jave. I pari është shtyrja e regjistrimit të popullsisë që do të flasë Avdullah Hoti, i dyti djegia për herë të dytë të IML-së… Qeverisja kriminale po merr përmasa të mëdha. Dhe së fundmi një skandal tjetër që ne do të kërkojmë qasje në dokumentacionin e një personi të quajtur Gani Jakupi me pagesë mujore mbi 7 mijë euro. Do të kërkoja nga kryeministri dhe qeveria të japin sqarime. Ne kemi pasur një person që është paguar 3500 euro, ish-ambasadori William Walker i cili është denigruar”, ka thënë ai.
Para deputetëve, ai ka folur për zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke hedhur dyshimet se rasti ka qenë i qëllimshëm.
Gashi është shprehur se ky zjarr mund të jetë shkaktuar për të zhdukur zhurmë dhe prova kriminale.
Ndërkohë, Gashi ka folur edhe për raportimet se në këtë zjarr janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit.
“Ndërkohë në media rezulton se jo vetëm që ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mbetjeve mortore të komandantit Adem Jashari e komandantit tjetër Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale. Një qeveri që erdhi me flakë në pushtet, po djeget nga flakët e pushtetit”.

