Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar vaksinën e parë në botë kundër virusit që transmetohet nga chikungunyan, lloj i mushkonjës, të cilën e sheh si një “kërcënim global shëndetësor në zhvillim”.
Sëmundja e shkaktuar nga mushkonjat shkakton ethe dhe dhimbje kyçesh dhe mund të jetë fatale për të sapolindurit.
Miratimi i FDA-së pritet të përshpejtojë përhapjen globale të vaksinës.
Këtë vit, rreth 440 mijë raste të infektimit nga chikungunyas, përfshirë 350 vdekje, janë raportuar deri në shtator.
Aktualisht nuk ka asnjë ilaç specifik për ta trajtuar virusin që bartet nga chikungunyas. Amerika e Jugut dhe Azia Jugore kanë regjistruar numrin më të madh të rasteve këtë vit.
Vaksina e quajtur Ixchiq është miratuar për personat mbi moshën 18-vjeç, ka bërë të ditur FDA-ja të premten. Vaksina u zhvillua nga kompania “Valneva” dhe do të administrohet me një injeksion të vetëm.
“Infeksioni me virusin e chikungunya mund të çojë në sëmundje të rënda dhe probleme të vazhdueshme shëndetësore, veçanërisht për të moshuarit dhe ata që tashmë kanë ndonjë problem shëndetësor”, ka shpjeguar zyrtari i lartë i FDA-së, Peter Marks.
Të paktën pesë milionë raste me virusin chikungunya janë raportuar që nga viti 2008. Simptoma të tjera përfshijnë skuqje të lëkurës, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve. Dhimbjet e kyçeve mund të vazhdojnë për muaj apo edhe vite.
Njerëzit në rajonet tropikale dhe subtropikale të Afrikës, Azisë Juglindore dhe disa pjesëve të Amerikës janë në rrezik më të lartë të infeksionit sepse mushkonjat që bartin këtë virus, janë endemike në këto zona.
“Megjithatë, virusi i chikungunya është përhapur në zona të reja gjeografike duke shkaktuar një rritje të përhapjes globale të sëmundjes”, ka bërë të ditur FDA-ja.
Të dhënat nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve treguan se Brazili ka pasur numrin më të madh të rasteve deri më tani këtë vit me 218.613 të prekur. Ndërkohë që më shumë se 93 mijë raste janë raportuar gjithashtu në Indi. /BBC


