Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, ka paralajmëruar se të premten do të mbahet një protestë para Prokurorisë Speciale për të “kërkuar drejtësi” për vdekjen e Deharit.
Më 5 nëntor bëhen shtatë vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në qelinë e burgut në Prizren. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Sipas një njoftimi që avokatit Gashi e dha dje, protesta do të mbahet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë për ta trajtuar rastin e Deharit.
“U bën shtatë vjet nga vrasja e Astritit dhe Prokuroria nuk do ta sheh të vërtetën. Protesta do të mbahet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë në hetimin e vrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari në moshën 26 vjeç, ka humbur jetën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.
Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist. Por procesi i mëvonshëm nxori të pah se ato pretendime ishin të pa bazuara dhe aktivistët u lanë të lirë.


