Për herë të gjashtë me radhë ka dështuar konstituimi, i Komisionit Hetimor Parlamentar, në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Edhe kësaj radhe, këtë komision e kanë bojkotuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i komisionit, Rashit Qalaj, ka thënë se deputetët e VV-së e kanë detyrim të vijnë në komision për t’i informuar qytetarët e Kosovës, në lidhje me rezervat shtetërore.
“Nuk kemi sqarim me shkrim, pse s’po vinë, po e bojkotojnë vetëm punën e këtij komisioni. Shtrohet pyetje pse? Sepse është I vetmi që po merret me hetimin për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Mund të themi se deputetët e VV-së, me bojkotimin e komisionit ta bojkotojnë informimin e qytetarëve për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, vajit grurit etj”, tha ai.
Tutje, Qalaj tha se kanë kërkuar interpretim nga zyra ligjore, dhe se sipas tij opinioni që e kanë marrë deputetët ka shkaktuar edhe më shumë konfuzitet.
“Ne I kemi dërgu një letër zyrës ligjore, për një interpretim për çështjen e mungesës së VV-së në komision. E kemi marrë një opinion pa opinion. Është opinion që e shton konfuzitetin, nuk janë sqaruar asgjë. Vetëm janë përmend detyrimet e deputetëve, që janë të obliguar që të marrin pjesë në punën e kuvendit, dhe trupave ndihmëse, komisione. Nuk kanë sqaruar asgjë më shumë se çfarë mund të bëjmë gjatë procedurave, se a mund t’i zëvendësojmë deputetët nga partia e njëjtë, apo kemi të drejtë të vazhdojmë dhe të kërkojmë edhe anëtarë nga parti tjera”, tha ai.
Qalaj paralajmëroi se javën e ardhshme do t’i bëjnë publike disa fakte të cilat sipas tij kanë të bëjnë me keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
“Dyshimet për keqpërdorim, sidomos për grurin dhe vajin janë të bazuara sepse kemi shumë fakte, që do t’i bëjmë publike javën e ardhshme, do t’i bëjmë publike edhe njerëzit që kemi planifikuar, dhe do duhej të ishin këtu, Albin Kurti dhe njeriu I fundit që ka qenë I përfshirë”, tha ai.

