Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës të mërkurën, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.
E pas kësaj proteste kanë reaguar edhe liderët e partive opozitare në vend. Krerët opozitarë kanë shfrytëzuar rastin e policëve që të sulmojnë Qeverinë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se policët elitarë të Kosovës janë detyruar të protestojnë kundër injorimit e nënçmimit që sipas tij, po u bëhet nga Qeveria e Kosovës.
“E vërteta e kësaj Qeverie! Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta. Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, ku ka bashkangjitur edhe një fotografi të protestës.
Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur trishtim e dëshpërim protestën e Njësitit Special Intervenues para Qeverisë së Kosovës.
Ai ka thënë se policët elitarë janë poshtuar nga Qeveria, e cila sipas tij, nuk po dëgjon për ta kur kanë nevojë.
“Trishtim. Dëshpërim. Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zotë, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, ku ka bashkangjitur edhe disa fotografi të protestës.
Reagim ka pasur edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të respektojë kërkesat e Policisë së Kosovës.
“Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”,ka shkruar Haradinaj.


