Zëvendëskryeministri i vendit Besnik Bislimi, ka thënë se pozita e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë s’ka qenë kurrë më mirë.
Duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Zhvillim e Dialog, ai tha se s’ka asnjë arsye për brenga e skepticizëm.
Zv.kryeministri Besnik Bislimi, deklaroi se partitë opozitare nuk përfitojnë duke i paraqitur, sipas tij, sukseset e Qeverisë si dështim para Bashkimit Evropian.
Ai tha se deklarimet e opozitës “duken keq në rrafshin ndërkombëtar”, duke theksuar se ajo që është bërë në procesin e dialogut, sipas tij, është shumë më e mirë se në vitet e kaluara.
“Unë si kryenegociator kam mandat të qartë dhe atij mandati i përmbahem 100 për qind, në atë mandat s’ka asnjë lëkundje. Pozita e Kosovës në procesin e dialogut s’ka qenë kurrë më mirë dhe s’ka asnjë arsye për brenga apo skepticizëm në tërësi. Mundeni me fjet shlirë”, u ka thënë Bislimi deputetëve opozitar që kritikonin ekzekutivin.
Gjatë raportimit të tij, Bislimi ka përmendur disa fusha që Kosova ka avancuar e që kanë të bëjnë me “Marrëveshjen e Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III).
Ai ka folur edhe për Kuvendin e Kosovës, duke thënë se pasur arritje.
Sipas tij Kosova gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje ekonomike, kurse si arritje sipas tij është edhe hapja e terminalive doganore që janë në pronësi publike dhe heqja e homologimit për vetura.
“Pas pandemisë kemi kthyer stabilitetin ekonomik, kemi pasur 10.5 % rritje ekonomike për vitin 2021”, tha ai.
Bislimi tha Kosova ka avancuar sipas kërkesës së MSA-së.
Edhe për portalin e E-kosova, ai vlerësoi se ka pasur arritje me këtë, duke u mundësuar qytetarëve qasje online në shumë shërbime.


