Donald Trump ka fryrë “arbitrarisht” vlerën e pronave të tij në pasqyrat financiare, është thënë në seancën gjyqësore që po mbahet në New York ndaj ish-presidentit të SHBA-së, raporton BBC.
Ish-avokati i Trumpit, Michael Cohen, i ka thënë gjykatës se ka ndihmuar të dalë me “çfarëdo shifre që Trump na ka thënë” për pasuritë e patundshme.
Cohen është një dëshmitar kyç në gjyqin ndaj Trumpit. Ish-presidenti amerikan po akuzohet për mashtrim.
Gjykatësi ka vendosur tashmë që Trump ka fryrë vlerën e pronave të tij për të siguruar kredi të favorshme.
Pos këtij rasti, ish-presidenti i SHBA-së po përballet edhe me katër raste penale ndërsa po kandidon për t’u kthyer sërish në Shtëpinë e Bardhë.
Në karrigen e dëshmitarit të martën në gjykatën në Manhatten dëshmoi Cohen. Ai tha se një nga përgjegjësitë e tij ishte t’i rriste vlerat e pronave bazuar në “numra që arbitrarisht i zgjidhte Donald Trumpi”.
Ai tha se ai dhe ish-shefi i financave të Trump Organisation, Allen Weisselberg, punonin derisa arrinin “synimin e dëshiruar” të shefit të tyre.
Cohen po ashtu tha se Trump ka tentuar t’i përdorë dokumente financiare me vlera të patundshmërive të fryra në tentimin për të blerë në vitin 2014 ekipin e futbollit amerikan Buffalo Bills, tentim që dështoi.
Trump me fytyrë të ngrysur shikoi derisa Cohen u fut në gjykatë. Por, ai nuk tha asgjë.
Ndërsa gjykata shkoi në pauzë për drekë, Trump u tha gazetarëve se “Cohen nuk është dëshmitar kredibil”.
Trump mohoi se ka bërë ndonjë shkelje.


