Ka dështuar për të pestën herë me radhë konstituimi i Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.
Prezentë në mbledhjen e komisionit ishin deputetët e opozitës por jo edhe ata të pushtetit. Nga Lëvizja Vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.
Kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj nga PDK-ja tha se është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon këtë iniciativë të opozitës.
“Ne sot thirrëm këtë takim të bëjmë edhe një përpjekje për konstituimin e komisionit. Siç po e shihni po mungojnë pa arsye deputetët e LVV-së ndërsa Kica Xhelili mungon për arsye familjare, na ka lajmëru. Është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon iniciativat siç është konstituimi i komisionit hetimor”, tha Qalaj.
Qalaj deklaroi se mungesa e kolegëve të tij nga pozita, i shton dyshimet se ata i frikësohen hetimeve.
“Është shumë shqetësuese që partia në pushtet që ka bërë çmos duke përdorë dhunë e gaz lotsjellës dike sulmuar Policinë është thirrë në sundim të ligjit, sot është hera e 5 e tentativës dhe të gjithë ata deputet të LVV-së që janë botuar në Kuvend prapë nuk vijnë me qëllim që të mbulojnë të gjitha ato dyshime për keqpërdorime”, shtoi ai
Më tej, Qalaj shpjegoi se i kanë dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca se si të veprojnë me deputetët që nuk vijnë, por që sipas tij deri më sot nuk kanë marrë përgjigje.
Ndërkaq deputetja e LDK-së, Valentina Gexha- Bunjaku tha se Komisioni hetimor është mekanizëm i opozitës dhe është votu nga deputetët që po mungojnë teksa shtoi se kërkesa e tyre është që të njëjtit të zëvendësohen edhe pse sipas Gexha -Bunjakut ”me cilindo që zëvendësohen ata nuk vijnë sepse ata janë nxënës të mirë të Albin Kurtit”.
“Është formu komisioni hetimor për rezervat dhe për dhunë në familje. Në atë për dhunë në familje vijnë pozita se dojnë mi hetu prokurorët kurse në këtë për rezervat nuk vijnë se nuk dojnë që qytetarët me zbulu keqëpërdorimet me rezerva. Me keqpërdor në buk është e paarsyshme”, ka thënë ajo.
Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja tha se deputetët e LVV-së po mundohen të pengojnë konstituimin e komisionit dhe sipas tij “nuk iu intereson interesi publik por partiak dhe ka dominuar gjithnjë interesi partiak i LVV-së”.
“Na kanë mbyt tu na thonë keni pasë korrupsion, keqpërdorime për njëzet vite dhe tash vetë po i mbrojnë keqpërdorimet e abuzimet. A kanë ndryshuar parimet alo mënyra se si në mënyrë perfekte të vidhet qytetari, shteti dhe të mashtrojnë qytetarët për atë që e kanë pasë kauzë, luftimin e dukurive negarive? Në qfarë deregje ka ardhe LVV-ja. Po i mshefin hajninë e keqpërdorimet”- është shprehur Lekaj.
Takimi i radhës i komisionit hetimor për rezervat është ftuar të mbahet të enjten me fillim nga ora 09:30.
Komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore është formuar në shtator të këtij viti. Mbështetjen për themelim i kishin dhënë 69 deputetë të Kuvendit mirëpo konstituimin e tij po e bojkotojnë tash e sa kohë ligjvënësit nga LVV-ja.
Nga Lëvizja vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.

