Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka dorëzuar gjatë ditës së sotme kallëzim penal në Prokurori dhe njëkohësisht padi civile në Gjykatë kundër analistit Lirim Mehmetaj.
Në një njoftim të publikuar në rrjetin social, deputeti Basha tha se ndërmori këtë veprim pasi akuzat e Mehmetajt për racizëm në lidhje me Drenicën, janë shpifje të nivelit më të ulët dhe më të poshtër të një njeriu.
“Sot dorëzova kallëzim penal në Prokurori dhe njëkohësisht padi civile në Gjykatë kundër shpifësit Lirim Mehmetaj. Padia civile lidhet me akuzat e tij për racizëm në lidhje me Drenicën, që janë shpifje të nivelit më të ulët dhe më të poshtër të një njeriu, dhe për këtë do ta ballafaqoj para drejtësisë.
Këto shpifje kanë shkaktu mosdurim dhe urrejtje ndaj meje te shumë qytetarë, ku edhe kam pranu shumë kërcënime e fyerje nga ata që janë lajthitur dhe i kanë besu shpifjeve të sojit të tij të paskrupullti”, ka thënë ai.
Basha shtoi se pasi ka deponuar kallëzim penal, uron e pret që Prokuroria të merret urgjentisht me rastin, meqenëse deklaratat e Mehmetajt përveçse janë shpifje, janë gjithashtu formë e manipulimit të opinionit publik për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit ndaj tij, “pra të gjitha këto elemente të veprës penale sipas Kodit Penal”.
“Shpifjet dhe manipuluesit NUK kalojnë!”, ka thënë në këtë rast deputeti Basha.
Analisti Lirim Mehmetaj, është kryeredaktor në median Albanian Post, pronar i së cilës është Baton Haxhiu.
Ky person, pra Mehmetaj, kohë më parë gjatë diskutimeve në një debat televiziv ka shpërthyer në sharje e fyerje edhe ndaj qytetarëve për formën se si ata kishin votuar në një sondazh të organizuar nga televizioni.
“Çka po dufka more more kretena, 170 euro me i marrë aaa… … Phu nanën jua q*****”, pati shpërthyer në fyerje e sharje Mehmetaj.
Për më shumë shikojeni edhe VIDEON, e cila është shpërndarë në rrjetin social, e ku Mehmetaj dëgjohet duke sharë rëndë qytetarët.

