Kryeministri belg e lidh me “terrorizëm” vrasjen e dy suedezëve në Bruksel.
Kryeministri i Belgjikës, Alexander de Croo, e ka lidhur me “terrorizëm” vrasjen e dy shtetasve suedezë në qendër të Brukselit të hënën mbrëma, raporton agjencia “AP”.
“Unë i kam ofruar ngushëllimet e mia të sinqerta kryeministrit të Suedisë pas sulmit shqetësues të sotëm ndaj shtetasve suedezë në Bruksel. Si partnerë të ngushtë, lufta kundër terrorizmit është e përbashkët”, ka shkruar De Croo në platformën “X”.
Në media është publikuar një video ku një person shtien disa herë me automatik në afërsi të një stacioni.
Mediumet lokale kanë raportuar se personi ka thirrur “Allah Ekber” para se të shtinte me armë.
Ndërkohë Policia, në kushte anonimiteti ka konfirmuar se dy viktimat janë suedezë.
Mediumi belg “Sudinfo” ka shkruar se autori ka shpërndarë një videomesazh në Facebook. Në të ai thoshte se ishte anëtar i Shtetit Islamik dhe mburrej për “vrasjen e të pafeve”. Në fjalimin e tij, sipas mediumit belg, ai ka thënë se ka kryer sulmin për “të nxjerrë hak për myslimanët dhe pasi që jetojmë dhe vdesim për fenë tonë”.
Sulmuesi është në arrati.
Suedia po luante në udhëtim me Belgjikën në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2024”.
Ndeshja është pezulluar pas sulmit.


