Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se sot i ka thënë kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, që të nënshkruajnë marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit. Këto komente kreu i Qeverisë së Kosovës i ka bërë në konferencën për medie pas Samitit të Berlinit në Tiranë.
Kurti po ashtu tha se Bërnabiq nuk ishte e interesuar për një gjë të tillë.
“Sot gjatë takimit të drekës, kam kërkuar nga kryeministrja që ta nënshkruajmë marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit. Unë jam që të zbatohen ato pikërisht tani që presidenti Vuçiq është i zënë në Kinë, unë kam thënë le ta nënshkruajmë meqë është kaq shumë e interesuar për normalizim me Kosovën, por ajo sërish nuk ishte e interesuar”, tha Kurti.
“Në të njëjtën kohë kam dënuar edhe njëherë dhe kam kërkuar që të gjithë ta dënojnë sulmin terrorist kriminal aktin e agresionit të Serbisë në Kosovë që vrau rreshterin policor heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun dhe plagosjen e dy të tjerëve që paraqet cenim të integritetit territorial, sovranitetit shtetëror dhe sigurisë sonë nacionale kombëtare”, tha Kurti
Ai tha se Kosova ka nevojë për më shumë siguri sepse sulmet e tilla mund të përsëritën.
“Kemi nevojë për më shumë siguri për Kosovën, sepse këto sulme të vazhdueshme ju e mbani në mend që me 29 maj sulmuan KFOR-in ku dhjetëra ushtar të lënduan me 14 qershor. Po ashtu i rrëmbyen tre policët tanë ndërsa tash edhe e vranë një polic dhe është e rëndësishme të mos ketë episode të katër të këtyre mësymjeve kriminale të Serbisë të sponsorizara nga ajo”, tha Kurti.
Po ashtu ai tha se ka adresuar që ka edhe vende që nuk i kanë ratifikuar marrëveshjet e arritur.
“Këto marrëveshje të cilat i kemi bërë në nëntor të vitit të kaluar dhe në veçanti këtu duhet të theksuar faktin që nga ato tri marrëveshje që i patëm bërë aso kohe njra nga ato nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina dhe për pasoj me datën 1 janar të viti 2024 të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës do të mund të ushtojnë pa viza në zonën Shengen, mirëpo do të nevojiten vizat për të qarkulluar nga Kosova për në Bosnje e Hercegovinë dhe anasjelltas për shkak se atje nuk është ratifikuar marrëveshja ka të bëjë për qarkullimin lirë me ID karta”, tha Kurti.
Kurti foli edhe bashkëpunimin me Gjermaninë, për të cilin tha është partneri dhe aleati tejet i rëndësishëm i Kosovës.
“Kancelarit gjerman i jam falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si në planin bilateral po ashtu edhe në kuadër të bashkimit evropian dhe të NATO-s. Gjermania është partneri dhe aleati dhe miku ynë tejet i rëndësishëm si për zhvillimin e dhe demokratizimin e brendshëm po ashtu edhe për integrimet evropian dhe euro atlantike”, tha Kurti.


