Jan Egeland, ish-diplomati norvegjez i cili ndërmjetësoi bisedimet në mes të palestinezëve dhe Izraelit, ka thënë se urdhri i Izraelit për evakuim nga veriu i Gazës është largim i detyruar i njerëzve, i konsideruar krim lufte sipas Konventës së Gjenevës.
Egeland, i cili tash është sekretar i përgjithshëm i Këshillit norvegjez të Refugjatëve, ka shtuar se tani nuk ka asnjë mënyrë praktike për t’iu qasur “katastrofës” humanitare që po ndodh në Gaza.
Ka “shumë fëmijë nën rrënoja që askush nuk mund t’i nxjerrë… dhjetëra mijëra shtëpi të shkatërruara dhe të pabanueshme… mijëra njerëz që ikin për të shpëtuar jetën”, ka theksuar ai për BBC.
Egeland është shprehur se shkalla e krizës në Gaza ende nuk është kuptuar plotësisht nga Perëndimi.
“Britania, SHBA-ja dhe BE-ja kanë thënë me të drejtë se janë me Izraelin në luftimin e terrorit. Shpresoj se ata nuk i kanë dhënë dritën jeshile goditjes së një milion fëmijëve”.


