Kryeministri i vendit Albin Kurti pas takimit me dy senatorët amerikanë në konferencë për media ka thënë se qëllimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë aneksimi i gjithë veriut të Kosovës.
Ai ka thënë se përfshirja e Serbisë në këtë sulm ka ndodhur së paku në katër shtresa.
“Sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e krejt veriut përmes sulmeve të koordinuara në 37 vende, përmes krijimit të një korridori me Serbinë për t’u furnizuar me armë dhe trupa ushtarakë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se heroi i vrarë, Afrim Bunjaku nuk mund t’iu kthehet as familjes e as shtetit, porse në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtar duhet të parandalohen sulmet e tilla në të ardhmen.
Ai ka theksuar se marrë parasysh tendencat e Serbisë për destabilizim, dialogu nuk mund të vazhdojë normalisht.
“Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut të sulmeve nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë prandaj të gjitha këto përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Dialogu i lehtësuar nga BE nuk mund të vazhdoj thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të merren hapa që dialogu të ketë edhe një shans që të ketë sukses. Është më urgjente se kurrë më parë që Serbia të ndërpres fjalën se nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, ka thënë Kurti.
E, senatorja Shaheen ka përsëritur se rajonit i duhet stabiliteti dhe paqja dhe për këtë duhet të punohet me çdo kusht.
“SHBA-ja është pranë jush”, ka thënë ajo në konferencën e përbashkët me Kurtin.


