“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka një bashkëpunim të mirëfilltë me bankat qendrore të vendeve të rajonit dhe më gjerë, e në veçanti me Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, të cilat janë institucione homologe të BQK-së”. Kështu deklaroi Ahmet Ismaili, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.
Ismaili tha se BQK-ja ndjek me fokus të veçantë të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit ndërshtetëror, ku në veçanti ato ekonomike, ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimeve ndërsektoriale, integrimin e tregjeve, si dhe proceset integruese rajonale dhe më gjerë.
Këto deklarata ai i bëri në konferencën ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Shqipëri dhe rajon” që u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH)i.
Guvernatori Ismaili shtoi se do të zhvillohet bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në platformat e diskutimit shkencor dhe kërkimor, sikurse edhe zgjerimi i bashkëpunimit me Bankën e Republikës së Shqipërisë, në arritjen e objektivave të përbashkëta.
“Është evidente se ky bashkëpunim duhet të zgjerohet dhe të avancohet në të ardhmen në disa fusha që lidhen me edukimin financiar, gjithë-përfshirjen financiare dhe modaliteteve që lehtësojnë dhe stimulojnë lëvizjen e kapitalit, njerëzve dhe mjeteve motorike”, shtoi i pari i BQK-së.
Në fund Ismaili ka treguar se BQK-ja është e angazhuar në iniciativa rajonale të bashkëpunimit dhe integrimit financiar, me interes të përbashkët për shtetet dhe popullin tonë.
“Ne jemi të angazhuar së bashku me BSH-në në disa iniciativa rajonale të bashkëpunimit, siç është projekti për modernizimin e sistemeve të pagesave në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që ka për qëllim uljen e kostos dhe rritjen e shpejtësisë së pagesave/transfereve në mes këtyre shteteve, si dhe ndërmjet nesh dhe Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Ismaili.
Për dy ditë me radhë, 6 dhe 7 tetor, në ambientet e ASHAK-ut janë duke u mbajtur punimet e kësaj konference shkencore ndërkombëtare, ku po marrin pjesë akademikë, profesorë universitarë dhe drejtues të institucioneve politike dhe atyre financiare.


