Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Kevin McCarthy është duke luftuar për jetën e tij politike pasi një rebel i krahut të djathtë Matt Gaetz, e ka nisur një mocion për shkarkimin e tij.
Tensionet mes dy republikanëve janë përkeqësuar përgjatë fundjavës, pasi McCarthy e ka miratuar një projektligj me ndihmën e demokratëve për t’i financuar agjencitë qeveritare.
Deri më tani, askush në historinë amerikane në këtë pozitë, nuk është shkarkuar përmes një mocioni të tillë.
Gjatë karrierës së tij, ish-presidenti Ronald Reagan, vazhdimisht përdori “urdhrin e njëmbëdhjetë” që thotë: Askush nuk duhet të flasë keq për asnjë koleg republikan. Por kjo nuk po ndodh tani.
“E dija që Kongresi ishte një katastrofë, por qenka shumë më keq nga sa mendoja”, u shpreh Jared Moskowitz, ligjvënës republikan.
Ligjvënësi nga Florida, Matt Gaetz, kërkoi një mocion për të shkarkuar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve për të larguar nga puna, kolegun republikanin Kevin McCarthy.
“Në këtë pikë, javën e ardhshme, njëra nga të dyja do të ndodhë. Kevin McCarthy nuk do të jetë kryetar, ose do të drejtojë Dhomën e Përfaqësuesve duke punuar për të kënaqur demokratët”, tha Gaetz.
Disa burime i thanë CNN që McCarthy pritet të bëjë një lëvizje procedurale që do ta eliminojë kërcënimin e Gaetz.
“Dorëzimi është i lehtë nëse dëshiron të dorëzohesh, por nëse dëshiron të luftosh për publikun amerikan, për të siguruar kufijtë dhe mbajtur qeverinë hapur, si mund të jetë ky një problem?”.
Gaetz thotë se ka mjaftueshëm republikanë për të shkarkuar McCarthyin. Nëse është kështu, atij do t’i duhet mbështetja demokrate për të shpëtuar karrigen. Aktualisht, demokratët po presin që Kryesia të marrë një vendim.


