Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmuesit serbë që vranë policin Afrim Bunjaku e që u kapën në Manastirin e Banjskës më vonë, me arsenal armësh, planifikonin destabilizimin e veriut dhe që më pas te lumi Ibër të shpallnin autonominë.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sveçla ka thënë se grupi udhëhiqej nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, nën urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, armatimi i gjetur, ishte i mjaftueshëm për ushtri prej 200 personash.
“Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, ka thënë Sveçla.
Ministri i Brendshëm të Kosovës ka thënë se aksioni po vijon dhe Policia e Kosovës ka gjetur kamionë dhe buldozer të tjerë me armatime.
“Kjo është një logjistikë që e ka një ushtri e mirëfilltë. Numrat e armatimeve po shtohen. Kemi zbuluar dhe një autoblind tjetër. Ka kamionë dhe buldozerë të cilët kanë mbartur municione. Ka raketa hedhës më shumë, mina anti-tank më shumë, mina anti-personel më shumë. Kjo listë e gjatë po përditësohet. Ky mitroloz me nitroglicerinë as policia nuk e ka në zotërim, kjo është ushtarake dhe vjen drejtpërdrejt nga depot e Serbisë”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, terreni i vështirë dhe hapja e rrugëve të reja në kufi, ka bërë që grupi duke u kamufluar me makinat e KFOR, të sjellë armatimin në Kosovë.
“Ai terren është i vështirë dhe në vazhdimësi kemi zbuluar rrugë të reja. Më herë kemi zbuluar 16 rrugë të reja. Ne i kemi bllokuar. Vija e gjatë kufitare dhe këto rrugë ilegale kanë mundësuar që ata të futen me këto makina. Duke qenë se jemi dëshmitarë se ka prezencë të KFOR-it, shumë lehtë këta mund të kryenin aksione në veri duke u kamufluar si personel i KFOR. Makina e Radojiçiqit ka qenë e blinduar. Kanë vendosur logot e KFOR për të qarkulluar lirshëm. Ju mund të shihni dronë dhe mjete për mjekim, këta janë përgatitur për konflikt të përmasave të mëdha. Municionet janë me qindra mijëra dhe nuk kemi mundur ende t’i numërojmë”, ka shtuar ai.
Të martën, Sveçla publikoi një video të incizuar nga droni e në të cilën shihet Radojiçiqi në Banjskë, në mesin e grupit të armatosur e uniformuar.


