Gjendja e policit të plagosur në veri, Alban Rashiti është stabile dhe i njëjti gjatë ditës do të lirohet për në shtëpi.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Kirurgjisë Torakale, njëherësh edhe doktori i cili e pranoi në spital, Nazmi Kolgeci.
Sipas tij, pacienti është operuar dhe ka marrë trajtimet e nevojshme në Klinikën e Kirurgjisë, në QKUK.
“Për fat të mirë gjendja është e mirë dhe ne për pak presim ta lirojmë prej spitalit. Dje unë kam qenë në kujdestari dhe e kam pranuar policin i cili ka ardh me lëndime me armë zjarri, në regjionin e krahun e majtë dhe regjionin e toraksit të majtë”.
“Pas pranimit e kemi bërë edhe intervenimin kirurgjik, ku është bërë heqja e predhës metalike që ka qenë në anën e majtë të gjoksit”.
“Trajtimi kryesor është trajtimi kirurgjik, pastaj është bërë trajtimi me medikamentozë që është akoma duke vazhduar deri tash kur po flasim”, ka thënë ai për EO.
Ndërkohë institucionet për zbatimin e ligjit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria po vazhdojnë edhe sot angazhimet në veri të vendit dhe janë duke i lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se ka armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist ku mbeti i vrarë një polic.