Nga një muaj paraburgim u ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë dy të dyshuarave për keqtrajtimin e një 3-vjeçari në çerdhen publike “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë.
Ky vendim erdhi pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit për dy punonjëset e çerdhes publike në Fushë-Kosovë, “Gëzimi ynë”, të dyshuara për dhunë fizike ndaj një 3-vjeçari.
N.M. dhe N.H. dyshohen për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Ndërkaq po sot Inspektorati i Arsimit ka nxjerr vendim më të cilin Drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë, obligohet që menjëherë t’i suspendojë nga puna 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”.
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, ka thënë këshilltarja e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Edona Kutleshi.
Ajo ka thënë se më këtë vendim është kërkuar që të merren masa edhe ndaj drejtoreshës.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Fushë Kosovë që të marrë masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, është shprehur Kutleshi.


