Autoritetet palestineze pretendojnë se gjashtë palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, raporton BBC.
Funeralet janë mbajtur për tre prej katër të vrarëve në bastisjet në kampin e refugjatëve Jenin të martën mbrëma, gjatë të cilave u lënduan edhe 30 persona, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore palestineze.
Një i ri tjetër palestinez thuhet se është vrarë në një bastisje izraelite në Jericho të mërkurën në mëngjes.
Po ashtu një tjetër është vrarë gjatë demonstratave të dhunshme të martën pasdite në afërsi të rrethojës që e ndan Gazën me Izraelin.
Ka pasur luftime të ashpra të martën mbrëma në kampin Jenin.
Turma të mëdha të mërkurën janë mbledhur në Jenin dhe kanë mbajtur trupat e tre të vrarëve gjatë aksionit. Dy prej tyre ishin të mbështjellë me flamuj të grupit militant islamik “Hamas” dhe një me flamur të Xhihadit Islamik.
Ndërkohë në orët e hershme të së mërkurës Ushtria izraelite bastisi kampin e refugjatëve “Aqabat Jaber” në Jericho. Sipas një spitali lokal një 19-vjeçar vdiq pasi është qëlluar në kokë.
Dëshmitarët kanë thënë se ushtarët izraelitë ishin sulmuar me gurë me t’u futur në kamp. Ushtria izraelite në anën tjetër ka thënë se janë hedhur mjete shpërthyese në drejtim të tyre, ndërsa ata po kryenin një arrestim.
Tensionet duket se po përhapen edhe në Gaza, ku një palestinez është vrarë nga forcat izraelite gjatë protestave të dhunshme të martën.
Ushtria izraelite ka thënë se qindra persona ishin mbledhur pranë rrethojës që ndan Gazan me Izraelin, dhe kishin hedhur mjete shpërthyese. Ushtria ka thënë se ka reaguar me të shtëna nga snajperistët. Është thënë se ka njohuri për vdekjen e një palestinezi në këtë rast dhe se po hetohet incidenti.


