Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan komentoi ngjarjet aktuale në Nagorno-Karabakh dhe ofroi mbështetje për Azerbajxhanin në atë që Baku e quajti një operacion anti-terrorist.
Ndër të tjera, Erdogan ka thënë se Nagorno-Karabakh është pjesë e territorit sovran të Azerbajxhanit dhe se vendosja e një statusi tjetër është absolutisht e papranueshme.
“Ne kemi mbështetur që në fillim procesin e negociatave midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Megjithatë, ne shohim se Armenia nuk e ka shfrytëzuar plotësisht këtë mundësi historike. Armenia duhet të mbajë premtimet e saj, duke përfshirë respektimin e korridorit”, ka thënë Erdogan.
Me rastin e aksioneve të Azerbajxhanit, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë njoftoi se ata mbështesin operacionin ushtarak të Bakut.
“Si rezultat i shqetësimeve legjitime dhe të justifikuara që ka shprehur vazhdimisht në lidhje me situatën në terren në gati tre vjet që nga përfundimi i luftës së dytë të Karabakut, Azerbajxhanit i është dashur të marrë masat që i konsideron të nevojshme në territorin e tij sovran”, ka thënë Ministria.
Sipas Turqisë, vetëm negociatat e drejtpërdrejta midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mund të zgjidhin përgjithmonë konfliktin e gjatë dekadash.


