Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë ndaj dy të pandehurve me inicialet I.R dhe D.D, për gjykim në mungesë, lidhur me një rast të dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë.
Në njoftimin e prokurorisë bëhet e ditur se të pandehurit, si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
“Me këtë rast viktima pësoi lëndime të rënda fizike në trup si dhe trauma të përhershme psikike. Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë (i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t’i gjetur të pandehurit.


