Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se ndonëse Kosova ka bërë hapa para drejt deeskalimit, të cilat i mirëpret, “nuk ka plotësuar gjitha kushtet”.
Borrell tha se BE-ja vlerëson se rruga e dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është më e shpejta për zgjedhjet e reja në veri dhe më e mira.
“BE-ja e sheh dorëheqjen e kryetarëve që janë zgjedhur nga vetëm 3 për qind e popullatës, si rruga më e shpejtë e më e mirë që të mundësohen zgjedhjet e reja. Procedura tjetër për të kërkuar largimin nëpërmjet peticionit është tepër e gjatë dhe e pasigurt. Serbët e Kosovës po ashtu duhet të tregojnë konstruktivitet e të angazhohen pa kushte në procesin elektoral. Duhet të marrin pjesë në zgjedhje. E mirëpres garancinë që mora nga presidenti Vuçiqi në këtë. Nëse nuk ka përparim në zgjedhje, rreziku i eskalimeve të reja do të vazhdojë”, ka thënë Borrell.
Borrelli tutje u shpreh se duhet të merren hapa menjëherë nga dyja palët për të mos pasur eskalime tjera në veri.
Ai shtoi se do të njoftojë shtetet anëtare të BE-së për rezultatin e takimit dhe do të vendoset për hapa të mëtutjeshme.


