Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka hedhur akuza të rënda drejt Qeverisë Kurti, duke thënë se është një qeverisje me korrupsion galopant dhe e cila, sipas tij, duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejt.
Në fillimin e sesionit vjeshtor në Kuvend të enjten, Tahiri i ka përmendur “të gjitha skandalet” që kanë shoqëruar Qeverinë Kurti gjatë tre vjetëve në krye të shtetit.
“Po fillojmë sesionin vjeshtor, përmbylljen e vitit të tretë të kësaj qeverisje. Për këto tre vjet kemi pasur qeverisje anemike. Nuk arritëm të shënonim asnjëherë momente suksesi e progresi të qeverisjes në vend. Ne jemi kundërshtar politik, por ja duam suksesin vendin tonë dhe do të kishim dashur të kishim pasur sukses në ekonomi, arsim, shëndetësi. Por asnjëra nga këto tema nuk kanë zënë vend në diskutimet tona në këtë legjislaturë. Na është imponuar të flasim e të debatojmë të asaj që ka dalë në shesh si produkt i kësaj qeverisje. Në këto tri vite, produkt i Qeverisë Kurti kanë qenë keqqeverisja dhe korrupsioni galopant në KEK me kontrata njëburimore, me kontrata të nënshkruara nga zyrtari i VV-së, Nagip Krasniqi, që tash është në burg. Produkt i qeverisjes tuaj ka qenë ambasadori Martin Berishaj, shpëlarësi i parave të pista të mafies serbe, i papenguar dhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë përkrahje nga kryeministri dhe presidentja. Produkt është edhe Faruk Mujku, zyrtari i VV-së i arrestuar për korrupsion dhe iu gjetën 60 mijë euro cash në shtëpi, ndërsa kishte deklaruar vetëm 500 euro në AKK. Është vjedhja e rezervave shtetërore përmes mikut tuaj Ridvan Muharremi. Vidhet në vaj, në grurë, në sheqer. Lidhjet me Radojçiqin. Ikja masive e të rinjve tanë, kjo është arsyeja pse Qeveria Kurti nuk guxon të nisë regjistrimin e popullsisë. Produkt i qeverisjes tuaj është Besnik Mujeci, një narkotrafikant që u kap me drogë me vlerë 500 mijë e që nuk po lejoni që t’i bastisen pronat. Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është produkt i kësaj qeverie”, ka thënë Tahiri.
Shefi i GP të PDK-së ka paralajmëruar se në vijim do të elaborojnë kontratat njëburimore të trashëgimisë kulturore, “ku shihet se si vidhet në emër të restaurimeve, në emër të dëshmorëve”.
Tahiri ka thënë se nuk do ta mbështesin mazhorancën në asnjë rrethanë e asnjë marrëveshje ndërkombëtare.
“Angazhimi jonë do të jetë që kjo legjilstaurë të përfundojë sa më shpejt, të shkojë në shtëpi. Nuk lejohet që kjo legjilslaturë të vazhdojë me korrupsion e me narko-trafikantë”, ka thënë ai.


