Avokati Tomë Gashi në lidhje me takimin e radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten, më 14 shtator, ka thënë se nuk do të ketë rezultat.
Dhe sipas tij, marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vështirë të arrihet derisa i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell “të jenë 100 për qind në anën e Serbisë”.
“Nuk do të ketë rezultat, kështu thënë në gjuhën më të thjesht, do të jetë takimi i radhës diku pas tre muajve. është kërkesë e lehtësuesve të dialogut, në mes të Kosovës dhe Serbisë. mirë që tani nuk po thirret dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, por paska është ndryshuar qasja”
“Dhe derisa Lajçak dhe Borrell janë 100 për qind në anën e Serbisë është tepër e vështirë të arrihet një marrëveshje. Ne prizmin tim unë shpeshherë e shoh Borrelin si një zëdhënës të Qeverisë së Serbisë apo të presidentit të tyre, Vuçiq”, ka deklaruar ai në emisionin RTVD.
Po ashtu, Gashi ka shprehur bindjen se marrëveshja midis dy vendeve është e vështirë të arrihet.
“E kemi parë takimin në Ohër, që ishte në marr të këtij vitit, dhe e pamë që ishte një deklarim nga Borrell që insistonte apo tentonte që ta arsyetonte Vuçiqin se pse nuk është nënshkruar marrëveshja, edhe pse kryeministri Kurti kishte deklaruar se ishte i gatshëm që ta nënshkruaj por që Vuçiq hezitonte dhe nuk ka nënshkruar fare”, është shprehur tutje ai.
Ndër të tjera, ai ka shprehur bindjen se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë është një sfidë e madhe dhe se për t’i gjetur zgjidhjet, është e nevojshme që të gjithë akterët ndërkombëtarë të angazhohen në mënyrë të barabartë dhe të përcaktojnë mënyrën se si do të vazhdojë dialogu midis dy vendeve.
“Dhe unë mendoj që edhe Borrelli edhe Lajçak e Esocobar dhe të gjitha ata që ja duan të mirën Kosovës apo dëshirojnë që ta kenë një qetësi në Ballkan e vetmja rrugë dhe i vetmi drejtim i trysnisë duhet të jetë Beogradi. Dhe nëse Bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur për 25 vite faktikisht që ta heqë territorin e Kosovës nga Kushtetuta e saj apo së paku 15 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës që ta detyrojnë me presion Serbinë ta heqin territorin e Kosovës nga Kushtetuta e saj atëherë si mund të detyrojnë Vuçiqin që të bëjnë marrëveshje të vlefshme apo ligjërisht e obligueshme sepse kjo i bie që po bënë marrëveshje me vetveten. Atëherë çfarëdo lloj marrëveshje që nënshkruan i bie që po nënshkruan më vetveten. Ai nuk po nënshkruan fare sepse nuk po e pranon realitetin”, ka deklaruar Gashi.


