Ministri izraelit i Turizmit, Haim Katz dhe ministrja kosovare e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari kanë nënshkruar të hënën në Prishtinë, një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin në fushën e turizmit. Sipas njoftimit për media, kjo deklaratë forcon lidhjen ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.
Ministrja Hajdari tha se ky është një shans i jashtëzakonshëm për të eksploruar shumë fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë pjesëmarrjen në ekspozita, panaire, konferenca, dhe ngjarje të tjera që do të promovojnë bukuritë natyrore dhe kulturën e të dyja vendeve.
Deklarata e përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm, me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Po ashtu, sipas njoftimit për media lëshuar nga MINT, marrëveshje parashikon edhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e po ashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.
“Nxitja e bashkëpunimit institucional ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Turizmit dhe nxitja e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe institucioneve të tjera në fushën e turizmit, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë”, thuhet një njoftimin e MINT.
Po ashtu, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik, duke nxitur shkëmbimin e informacionit përkatës me qëllim krijimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e përvojës praktike në fushën e edukimit, trajnimit dhe të mësuarit, me theks të veçantë në ngritjen e aftësive dhe rikualifikimit.
“Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë në fushën e turizmit në mes të Republikës së Kosovës dhe Izraelit”, nënvizon MINT, kushtet e deklaratës.
Ndryshe, pas vizitës që ministrja Rozeta Hajdari, muaj më parë kishte realizuar në Izrael, ministri Katz, po realizon një vizitë në Kosovë, ku do të zhvillojë takime të ndara edhe me krerët më të lartë shtetëror.


