Nikoqirët e takimit të Procesit Brdo-Brione që është mbajtur në Shkup, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, kanë mbajtur një konferencë pas takimit.
Pendarovski ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme për ta.
Sipas tij Procesi Brdo-Brion është mekanizmi i vetëm për bashkëpunim në rajon në nivel të shteteve.
Ai ka thënë se me përpjekje të përbashkëta duhet të veprojmë që Ballkani Perëndimor të kthehet tërësisht në agjendën evropiane dhe të mbetet aty.
“Me koleget e mi biseduam edhe për sfidën më të madhe në rajon shpërngulja e te rinjve. Mesazhi ynë i përbashkët është që t’i dyfishojmë përpjekjet tona rajonale që të rinjtë të mbesin në rajon”, ka theksuar Pendarovski, duke shtuar se kanë miratuar edhe një deklaratë të përbashkët.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se dialogu në mes të vendeve të rajonit është i rëndësishëm.
Sipas tij atmosfera në këtë takim ka qenë më e mirë se në dy takimet e kaluara.
“U bisedua mbi tema që na bashkojnë. Kroacia dhe Sllovenia mund të ndihmojnë edhe më shumë se që mund të mendoni që kjo pjesë e Evropës të integrohet”, tha ai.
Ndërsa presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar ka thënë se më tepër vëmendje i kanë kushtuar BE-së dhe se shteti i saj i mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
“Ramë dakord që probleme në këtë rrugë ka shumë … kemi pasur edhe ne. Nuk ekziston një rrugë e lehtë … Kam kënaqësinë e veçantë që Procesi i Brdo-Brione do të vazhdojë. Kemi dy kandidatë për organizim për vitin e ardhshëm”, ka theksuar ajo.



