Ka nisur takimi i liderëve të rajonit në kuadër të Procesit Brdo-Brione që po mbahet në Shkup.
Në këtë takim nga Kosova po merr pjesë presidentja, Vjosa Osmani, e nga Shqipëria, presidenti Bajram Begaj.
Pjesë e takimit është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç ka bërë të ditur Presidenca, Osmani është paraparë të mbajë fjalim, e do të ketë edhe takime bilaterale me krerët e shteteve pjesëmarrëse.
Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.
Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.


