Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar viktimat e sulmit terrorist në ShBA më 11 shtator të vitit 2001.
E para e vendit ka thënë se ngjarja e asaj dite e ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë.
“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka shkruar presidentja Osmani.
Sot janë mbushur 22 vjet nga rrëmbimi i katër avionëve të pasagjerëve nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sulmet më të mëdha terroriste.
Mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001, 19 terroristë Islamikë të Al Qaeda-s, morën peng 4 avionë pasagjerësh të nisur nga Boston, Njuark dhe Uashington dhe i përdorën ato si raketa gjigante për të sulmuar ndërtesat simbolike në SHBA.
2 kullat ikonë të Nju-Jorkut u rrëzuan, Pentagoni u dëmtua rëndë; gati 3 mijë njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën, ose pësuan probleme afatgjatë shëndetësore.


