Komisioni për Arsim i Degës së LDK-së në Gjilan, ka mbajtur konferencë për media të shtunën, ku qëndrimet i ka paraqitur para publikut kryetarja e këtij Komisioni, Afërdita Balaj.
“Komisioni për Arsim i LDK-së, do të kishte dëshirë që për këtë fillim vit shkollor të flas për punët e mira të qeverisjes komunale në arsim por, fatkeqësisht, përpos, tendencave për të rehatuar nëpër vende pune militantët e tyre, familjarët e zyrtarëve më të lartë të qeverisjes -Selektimin dhe koncentrimin e investimeve në ato shkolla ku sapo kanë zgjedhur drejtorët pa përvojë menagjeriale, tjetër nuk po mund të veçojmë nga kjo qeverisje”, tha kryetarja e këtij Komisioni, Afërdita Balaj.
Ajo tha se injorimi ndaj ndjenjave dhe nevojave të të tjerëve mund të dëmtojë marrëdhëniet dhe të shkaktojë tensione.
“Komisioni për Arsim i LDK- së është shumë i bindur se vendimi i MASHT do të paraqes shumë probleme në mbarëvajtjen e mësimit për kohë të gjatë, duke i kufizuar mësimdhënësit në zbatimin e plan programit sepse ata do të ballafaqohen me mungesë të teksteve të nxënësve dhe, shumë mangësi tjera të cilat do të shfaqen në implementimin e këtij vendimi, për ta lënduar fort cilësinë në mësimdhënie dhe mësim nxënie”, theksoi ajo.
Sipas saj në javën e parë të mësimit po shënohen mungesa të mëdha të mësimdhënësve. “Kjo për shkak se DKA e ka vonuar zgjidhjen e procedurave të rekrutimit përmes konkursit, të cilin e ka hapur me shumë vonës dhe si pasojë këto mungesa do të vazhdojnë së paku edhe për tri javë dhe për këtë kohë nxënësit do të humbin mësim pa fajin e tyre, e karshi kësaj situate prapë vazhdon Injoranca e z. Hyseni, i cili sillet sikur asgjë nuk po ndodhë. Ai është i pari i qeverisë komunale dhe përgjegjësia i adresohet atij edhe nëse ngecjet janë nëpër drejtori komunale”, tha ajo.


