Për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho nëse ksuadra që e drejton dëshiron kualifikimin në Euro 2024, atëherë ndaj Çekisë duhet marrë pikë.
Ai ka mbajtur një konferencë të mërkurën ku ka folur për ndeshjen e të enjtes.
“Luajmë ndaj një kundërshtari mjaft të fortë si Çekia, luajmë në një stadium shumë të mirë. Kemi lojtarë të mirë në dispozicion, i kemi të gjithë elementët e duhur për të marrë maksimumin. Kemi lojtarë të fortë, jemi një skuadër e fortë dhe do të zbresim në fushën e lojës për të bërë mirë. Nesër do të jemi në 50% të rrugës dhe do të kuptojmë sa janë shanset tona. Nesër është e rëndësishme paraqitja, të ecim përpara në rrugën tonë, të bëjmë një lojë të bukur dhe të marrim pikë sepse ndryshe nuk arrijmë dot tek objektivi ynë”, është shprehur braziliani. “Llogaritë mund të bëhen vetëm në nëntor. Duam të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim pikë”.
Sylvinho ka theksuar se skuadra ka motivin e duhur.
“Jam i kënaqur për gjëndjen e skuadrës. Motivimi është i lartë dhe duhet të them se nesër është një ndeshje e vështirë, djemtë e dinë këtë dhe ata janë mësuar të luajnë në të tilla ndeshje. E qartë që kërkohet një përgjegjësi më e madhe këtë herë, duke parë ndeshjen që kemi përpara. Ne e ndjejmë përgjegjësinë që kemi, këto janë ndeshje për t’u shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Janë ndeshje të rëndësishme dhe të gjithë duan të luajnë. Jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë Sylvinho. “Ata (Çekia v.j.) janë një skuadër shumë e fortë, kanë një trajner që ndodhet këtu prej disa vitesh. Ai ka lojtarë shumë të fortë. Do të jetë një ndeshje e bukur. Të shikojmë nesër por më duhet të them se ne si skuadër kemi tashmë një mënyrë loje, kemi bërë një rrugë të mirë deri më tani, duhet të ecim në drejtimin e duhur. Nesër mbetet për t’u parë”.