Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot në Bruksel ka takuar komandantin e KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia.
“Është e rëndësishme të shkëmbejmë shënime mbi zhvillimet në terren dhe të ndajmë vlerësimet tona mbi burimet e mundshme të tensioneve të ardhshme. Mirënjohës për punën jetike të KFOR-it në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social ‘X’ i njohur njohur më parë si ‘Twitter’.
KFOR-i është i ngarkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ofrojë siguri në Kosovë. Gjatë tensioneve në Veri, disa pjesëtarë të këtij misioni janë sulmuar nga protestuesit e dhunshëm serbë.
Ndryshe Misioni i KFOR-it do të zhvillojë një stërvitje ushtarake rutinë në Kosovën perëndimore nga 5 deri më 7 shtator. “Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale-Kontingjentet Shumëkombëshe Perëndimore dhe do të fokusohet në procedurat dhe përgatitjen e gatishmërisë operacionale të njësisë. Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas njoftimit, aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje si ditën ashtu edhe natën nga toka. Do të ketë gjithashtu autokolona mjetesh ushtarake të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që do të udhëtojnë në rrugët kryesore dhe dytësore brenda zonës.
“KFOR-i i kryen këto ushtrime rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar një përgjigje në kohë dhe të sigurt sa herë që kërkohet. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë kohës gjatë ushtrimit dhe kërkon bashkëpunimin e komuniteteve lokale gjatë këtij aktiviteti”, thuhet në njoftim.


