Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, sërish ka publikuar një video ku pos që u lavdërua me punën e Qeverisë, i sulmoi edhe partitë që dikur kanë qeverisur.
Në videon e titulluar “Zhvillimi dhe drejtësia shkojnë bashkë”, VV-ja tha se zhvillimi ekonomik gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti dhe krijimi i vendeve të reja të punës “nuk iu pëlqeu humbësve dhe zhvatësve të këtij vendi, atyre që prej qeverisjes tonë u është ndalur çezma e po u rrezikohet pasuria e paligjshme”.
“Ekonomia shënoi progres të paparë me qeverisjen tonë. Për herë të parë u tejkalua shifra 400 mijë vende aktive të punës. Mbi 40 mijë vende pune u hapën. Mbi 330 vende të lira pune janë sot në platformën Superpuna”, thuhet në videon e VV-së
Rrahjen në Kuvendin e Kosovës, kjo parti e cilësoi inskenim dhe organizim të opozitës, derisa u shpreh edhe për dyshimet mbi keqpërdorimet e rezervave shtetërore.
“U organizuan të sulmojnë. Provuan të inskenojnë gjithfarëlloj protestash duke keqpërdorur grupe që kanë halle të rëndë në shoqërinë tonë. Hodhën në ajër ide imagjinare për afera gruri, afera vaji, afera e martini, afera këso e aso, dhe kur panë që asgjë s’po ngjet. Dolën me audioincizime të militantëve të tyre për të provuar baltosjen e njerëzve tanë në institucione. Asnjë provë a dëshmi, por vetëm shpifje ndaj qeverisë që nuk po ua lagë fytin si qeverisjet e kaluara. Ndryshimi i madh që tashmë është duke u jetësuar në Kosovë është i pandalshëm. Nomenklatura e moçme po e përdorë mjetin e fundit që e ka në duar prokurorinë speciale. Por, do të dështojnë të gjithë se bashku… Ne jemi me popullin dhe për ta do të qeverisim”, thuhet tutje në videon e publikuar në Facebook.


