Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme e cila ka nisur pak më parë ka filluar edhe shqyrtimin e propozimeve të shumta, ndërsa një fjalim hyrës e ka bërë kryeministri Albin Kurti, i cili foli për vizitën në Athinë dhe situatën aktuale në katër komunate veriore.
Kryeministri Kurti tha se në prag të Samitit të Berlinit që mbahet në Tiranë në këtë tetor, takimi në Athinë me pjesëmarrjen e presidentit Zelensky, i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Për Kosovën pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Greqisë”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit bëri të ditur se në takimet e ndara dhe atë të përbashkët që janë mbajtur në Greqi, ka theksuar deeskalimi i situatës në veri të vendit në praktikë tashmë ka ndodhur dhe se Kosova është duke respektuar marrëveshjen e Bratislavës.
“Deeskalimi në katër komunat veriore është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër i largimit të një pjesë të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi”, ka thënë ai.
Kurti tha se kanë kaluar 2 muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz, por edhe më gjatë prej se ka pasur protesta të dhunshme.
Ai tha se tani duhet parandaluar rieskalimi, ndërsa tha se është fakt se kur s’ka protesta të dhunshme, të planifikuara e organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës.


