Dy nga tre të akuzuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla kanë refuzuar të ngritën në këmbë në gjykimin ndaj tyre. Ata kanë thënë se nuk pranojnë të gjykohen me ligjet e Kosovës, por, vetëm me ligjet e islamit.
Këtë e deklaruan gjatë ditës së hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po mbahet shqyrtimi fillestar në këtë rast.
Fillimisht, i akuzuari Lum Dervishi ka thënë se nuk pranon të gjykohet me ligjet në fuqi, por se sulmin e bërë ndaj të dëmtuarit gazetarit Valon Syla nuk e mohoi, raporton Betimi për Drejtësi.
“Nuk pranoj të gjykohem me këto ligje, nuk e kam mohu në stacion. E kam pranu në Prokurori, e pranoj edhe tash”, ka thënë i akuzuari Dervishi.
Kurse, i akuzuari Kenan Hasani tha se mund të gjykohet vetëm më ligjet islame dhe se nuk e pranon gjykimin i cili po bëhet.
“Veprimin edhe unë e pranoj çfarë ka ndodhë, mirëpo gjykimin nuk e pranoj sepse si mysliman duhna m’u gjyku vetëm me ligj islam, unë nuk deklarohem”, ka thënë i akuzuari Kenan Hasani.
Dhe në fund, i akuzuari Okan Hasani tha se nuk mund të deklarohet dhe se nuk pranon një gjykim të tillë.
“Nuk mund të deklarohem”, ka thënë i akuzuari i fundit Okan Hasani.


