Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka nisur seancën e parlamentit në Londër duke kujtuar ngjarjet e ndodhura para 27 vjetëve në Bosnjë e Hercegovinë.
“Këtë javë ne kujtojmë gjenocidin e kryer në Srebrenicë, dhe viktimat e këtyre ngjarjeve të tmerrshme. Ne duhet të mësojmë nga mësimet e historisë dhe të bëjmë nga ana jonë krejt çka është e mundur që të ndalojmë që një gjë e tillë të mos ndodh më kurrë”, tha Johnson, që është kryeministër deri më 5 shtator.
Ai tha se do vazhdojnë të luftohen mohuesit e krimeve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe vende tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.
Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.