Policia e Kosovës njofton se rreth orës 13:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se nuk raportohet për të lënduar për këto gjuajtje që kanë ndodhur në rrugën “Xhevë Lladrovci” në kryeqytet.
“Sot rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personit të dyshuar, i cili thuhet se është identifikuar nga ana e policisë.


