Ka nisur punimet Edicioni i 41 i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Drejtues të institucioneve arsimore e vlerësuan lart rëndësinë e organizimit të këtij seminari, ku temë boshte e këtij edicioni është “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se ky seminar, është ngjarja me rëndësi të madhe në fushën e arsimit, pasi suksesshëm është bërë një platformë e qëndrueshme për evidentimin dhe promovimin e vlerave tona gjuhësore, letrare e kulturore.
“Sot, Seminari po hyn në dekadën e pestë të jetës, dhe kjo është arritje e jashtëzakonshme. Shpreh vlerësim të veçantë për ata/ato që kanë mundësuar vazhdimësinë e kësaj ngjarjeje, posaçërisht në mesin e viteve ’90 e tutje, kur represioni ishte më i egër se kurrë”, tha ajo.
Nagavci tha se është gjithmonë kënaqësi të dëgjosh albanologë të huaj që prezantojnë kumtesat e tyre në gjuhën shqipe.
“Kjo na jep shpresë se gjuha jonë, sado e vogël, vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë anembanë globit”.
Ajo theksoi se si Ministri e Arsimit mbesim të përkushtuar për ofrimin e mbështetjes së pakursyer për Universitetin e Prishtinës në organizimin e ngjarjeve të tilla.
Kurse rektori i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, tha se ky seminar është i rëndësishëm jo vetëm për universitetin por për gjithë vendin, pasi është një dritare e hapur për lidhjen e albanologjisë me botën evropiane.
“Të nderuar miq, i nderuar nikoqir Bardh Rugova, e nderuar ministre Nagavci e ministër Çeku, të nderuar seminaristë, ne jemi tejet të gëzuar që keni vendosur të na bashkoheni, interesimi juaj për albanologjinë është testament i rritjes së përbashkët dhe ky seminar është i rëndësishëm jo vetëm për fakultetin”.
“Suksesi i seminarit mbështetet në vazhdimësi me idenë e bartjes së rezultateve shkencore studentëve e studiuesve që pasojnë. Përtej mbështetjes së domosdoshme materiale i shpreh mirënjohje institucionale të gjithë kolegëve për përkushtimin”, u shpreh Qerimi.
E pjesëmarrësit në këtë seminar vlerësojnë së organizime të tilla janë të rëndësishme, për arsye se iu ndihmon të mësojnë gjuhën shqipe dhe të krijojnë kontakte të reja me njerëz nga e gjithë bota.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicolas Abbott tha se e vlerëson shumë Seminarin, ndërsa shtoi se bota është e bukur për shkak të diversitetit, për çka është e rëndësishme ruajtja e gjuhës autoktone, por edhe të respektohen vlerat e tjetrit.
Sipas tij, veprat e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e të tjerëve kanë krijuar urë lidhëse midis kulturave.
“Është nder dhe kënaqësi të jem sot këtu në hapjen e Seminarit të gjuhës shqipe. Javën e kaluar isha në Dokufest dhe mund të them se rëndësia e shkëmbimit të gjuhëve nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Megjithatë pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimin e gjuhës. Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi. Letërsia shqipe me rrënjët e saja të thella ofron një dritare të gjerë. Veprat e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e të tjerëve kanë krijuar urë lidhëse midis kulturave. Kur një gjuhë humbet një këndvështrim me botën humbet. Ne duhet të avokojmë për ruajtjen e gjuhës dhe urat ndërkombëtare që ajo ndërton. Bota jonë është e bukur për shkak të diversitetit të saj, ashtu siç e çmojmë trashëgiminë tonë gjuhësore ta ruajmë edhe atë të të tjerëve. Le të ruajmë jo një thesar gjuhësor, por edhe lidhjet që ajo ka krijuar”, tha Abbot.
Edicionin i 41-të më radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës. Sivjet në këtë seminar, përveç aktiviteteve të tjera, prej 14 deri më 25 gusht 2023 sa do të zgjasin punimet do të mbahen nëntë ligjërata shkencore.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.



