Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA), Jeffrey Hovenier ka ripërsëritur kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Ambasadori Hovenier pas pjesëmarrjes në ceremoninë e dhënies së 250 kamerave të trupit donacion Policisë së Kosovës ka folur edhe për rastin e televizionit Klan Kosova, ku sipas tij, kjo çështje nuk është vetëm biznesore, por edhe për lirinë e mediave.
Ndryshe, tensionet në Kosovë janë rritur pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.
Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.
Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë në mes të protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit.
Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.
“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.


