Policia e Kosovës, respektivisht sektori i hetimeve të Stacionit policor në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me një rast të veprës “Vjedhje”, e që dyshohet të jetë kryer nga një grua.
Në një njoftim për media thuhet se vepra penale ka ndodhur me datën 06.07.2022 ora 10:40 në rrugën “Edit Durham” në butikun “DRITONI” në Prizren.
“E dëmtuara ka raportuar në Stacionin Policor në Prizren, se me datën 06.07.2022, rreth orës 10:40 deri sa ishte duke blerë disa gjëra në butik, persona të panjohur nga çanta e saj e dorës i kanë vjedhur kuletën e saj, në të cilën kishte dokumente personale si dhe para në vlerë 750 Euro”.
Policia bën të ditur se nga video regjistrimet e kamerave të sigurisë të nxjerra nga butiku ku ka ndodhur rasti, është siguruar fotografi të dyshuarës, mirëpo deri tani nuk është rezultuar në identifikim e saj.
Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, Policia thotë se ka marrë autorizimin në pajtim dispozitave të nenit 76 prag 2 te KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarës në mediume televizive dhe media sociale, ndërsa kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarës.
“Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kanë çfarëdo informate , apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarës në foto, të raportojnë policinë në Prizren , apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.



