Kryeministri holandez, Mark Rutte dha dorëheqje pas rënies dramatike të qeverisë së koalicionit të tij.
“Ekzistojnë mosmarrëveshje midis katër partive të koalicionit për politikën e migracionit”, tha Rutte dje në mbrëmje, në Hagë. Ai shtoi se do t’i paraqiste dorëheqjen e tij me shkrim mbretit Willem-Alexander.
Rutte tha se i vinte keq që duhej të jepte dorëheqjen, por e përshkroi atë si “një realitet politik”.
Udhëheqësit e koalicionit katër partish ishin mbyllur në takime natën vonë të mërkurën dhe të enjten në një përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi politikën e migracionit.
Rutte, njoftoi se dallimet midis partnerëve të koalicionit ishin “të papajtueshme”. “Kjo është arsyeja pse unë do t’i ofroj menjëherë mbretit dorëheqjen e të gjithë kabinetit me shkrim”, tha ai.
Ai nuk dha informacion nëse do të kandidojë sërish në zgjedhje të reja. Qeveria e katërt e liberalëve të krahut të djathtë ishte në detyrë që nga fillimi i vitit 2022.


