Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar 2 korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën “për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë”.
“Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.
Sipas saj, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi.
“2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe. Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!”, ka thënë tutje Osmani.
Sot shënohet 32 vjetori i miratimit të Kushtetutës së Pavarësisë së Kosovës.
Më 2 korrik, 1990, 114 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për pavarësi shtetërore e territoriale nga Serbia.


