Nën organizimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Qendrore të Kosovës, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë mbajtur prezantime informative mbi tema të ndryshme ekonomike në Prishtinë.
Prezantimi i parë, i udhëhequr nga zëvendësdrejtoresha e Departmentit për Çështje Fiskale në FMN, Era Dabla-Norris, u thellua në temat e inflacionit, menaxhimit të borxhit shtetëror, si dhe politikave efektive fiskale gjatë periudhave të krizave.
Tutje, zëvendëskëshilluesja e Përgjithshme në Departamentin Ligjor të FMN-së, Katharine Christopherson, prezantoi rolin e Fondit në ofrimin e ekspertizës teknike, asistencës financiare dhe shërbimeve këshillimore për vendet anëtare, me qëllim të nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe prosperitetit. Ky prezantim u fokusua në rolin në zhvillim të FMN-së, përkitazi me ndryshimet e vazhdueshme në ekonominë globale, njofton Ministria e Financave.
Zëvendësshefi për Ekonomi në Bankën Botërore, Ayhan Kose prezantoi para delegatëve mbi ndikimin e përparimeve teknologjike stimulimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Në prezantim gjithashtu ofroi rekomantime praktike në zbatimin e politikave strukturore, makroekonomike e fiskale, që kontribuojnë drejtpërdrejtë në progresin ekonomik të vendeve anëtare nga konstituencat përkatëse.
Së fundi, zëvendësshefi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Europë dhe Amerikë Latine prezantoi mbi rëndësinë e mobilizimit të sektorit privat në zhvillimin kombëtar dhe rolin e IFC-së në këtë drejtim. Rritja e produktivitetit, qendrueshmëria dhe gjithëpërfshirja u përmendën si faktorë me rëndësi në mobilizimin e mëtejshëm të sektorit privat.
Po ashtu nën udhëheqjen e ministrit Hekuran Murati u mbajt edhe takimi i konstituencës së Bankës Botërore. Në këtë takimi ministri Murati falënderoi delegatët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në diskutimet përmbajtësore. Në anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i konstituencës së Bankës Botërore, Hayrettini Demircan prezantoi para shteteve anetarë zhvillimet e fundit ekonomike, njofton tutje Ministria e Financave.
Takimet e Konstituencës së Bankës Botërore dhe FMN-së, mbledhin përfaqësues nga Ministritë e Financave dhe Bankat Qendrore të shteteve anëtare si Austria, Belgjika, Turqia, Çekia, Luksemburgu, Hungaria, Sllovakia, si dhe Sllovenia dhe shërbejnë si platformë për të diskutuar rreth zhvillimeve të përgjithshme ekonomike globale.


