Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka uruar të gjithë qytetarët e besimit islam në Kosovë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Më veçantë ai ka uruar policët që janë në detyrë dhe gazetarët që po raportojnë për zhvillimet në vend.
“Të dashur qytetarë të Kosovës të besimit mysliman, ju uroj gëzuar Kurban Bajramin. Qofshi të gëzuar sot bashkë me familjarët dhe të afërmit tuaj. Shëndet, fat dhe lumturi uroj t’ju sjellë ky Bajram, të gjithëve ju por edhe gjithë shoqërisë e shtetit tonë.
Dëshiroj të veçoj në këtë urim Policët e Kosovës, e sidomos ata që janë në shërbim. Puna e institucioneve të rendit mundëson që qytetarët tanë, pa dallim feje apo etnie, të jetojnë, të punojnë e të festojnë të qetë”, ka shkruar ai. Njëkohësisht uroj edhe gazetarët, sidomos ata që janë në shërbim në terren. Është vërtetuar kohët e fundit se raportimet objektive nga gazetarët e terrenit, ndihmojnë në mbarëvajtjen e qetësisë publike dhe në zbatimin e ligjit”, ka shkruar mes tjerash në urimin e tij ministri Sveçla.
Myslimanët në gjithë botën festojnë sot Kurban Bajramin. Në Kosovë, manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në kryeqytet.
Mëngjesin e hershëm të së mërkurës është falur namazi i Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë e Kosovës.
Manifestimi qendror në Kosovë, kushtuar kësaj feste, u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë nën prirjen e kryeimamit të Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili, duke u lutur që të mbretërojë paqja, harmonia, solidariteti te njerëzit, përmendi edhe elemente negative në shoqërinë tonë si dhunën në familje.


