Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe partitë tjera opozitare PDK e LDK, kanë kërkuar që të bëhet rishikim i buxhetit të Kosovës dhe ketë rritje të pagave në sektorin publik.
Këto kërkesa janë temat kryesore të interpelancës në Kuvendin e Kosovës më 22 qershor ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Pas fjalës së deputetëve opozitar, ministri Murati, i cilësoi të pavërteta disa nga deklarimet.
“Sa i përket mbështetjes së ekonomisë u tha që ka pasur humbje dhe mosalokim të investime kapitale. Sa i përket investimeve kapitale normalisht që paguhen faturat për punët që janë kryer, për projektet që nuk janë kryer punët ne nuk mund të paguajmë fatura”, tha Murati, duke iu përgjigjur deputetit të AAK-së, Benik Tahiri.
Ai tha se gjithnjë duke qëndruar brenda kornizës ligjore për vitin e ardhshëm koeficienti i pagës do të rritet në 110 euro.
“E konsideroj të panevojshme një seancë të tillë që kërkon të ndryshohet diçka për të cilën ne kemi shkuar në maksimum sa i përket vitit aktual”, tha ministri Murati.
Në këtë rast ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ekzekutimi i investimeve kapitale vitin e kaluar ka qenë nën nivelin 60 për qind.
Ka shtuar se do të donin të ishte më i lartë, por sipas tij ka pasur probleme me shpronësime dhe tema të tjera të cilat janë diskutuar më herët.
“U tha 100 mijë persona kanë ikur kjo është e pavërtetë, asgjë nuk e vërteton ketë. Na thatë të marrim shembuj për investimet kapitale. Ne po e shohim shembullin tuaj në komunën e Prishtinës. FMN-ja ka ritheksuar që Kosova ka arritur t’i rikonsolidojë financat publike si vendi i parë në rajon. Ju lutem nëse doni debat e diskutim kredibil referojuni shifrave të sakta”, ka thënë ai.
Muratit i është kundërpërgjigjur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ai ka thënë se shifrat që po i paraqesin nuk janë mashtrime. “Për besë këto çka po i paraqesim si shifra nuk janë mashtrime. Mos mendo që një qytetar do të ndihej mirë me ikjen e të rinjve e të rejave. Nuk e di a kanë ikur 100 mijë, 99 mijë por nga 40 mijë, 50 mijë janë duke ikur brenda vitit”, ka theksuar Zemaj.
AAK-ja kërkon rritjen e koeficientit në 129 euro
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se si GP kanë ftuar në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati duke iniciuar fillimin e menjëhershëm të procedurës së shqyrtimit të buxhetit për vitin 2023.
Ai ka thënë se kjo iniciativë ka ardhur për dy çështje, dështimin e investimeve kapitale dhe ngritjen koeficientit në 129 euro.
Sipas tij, menaxhimi i fondeve publike në këto dy vjet të qeverisë ishte i dobët, joprofesional, partiak, politik e i dëmshëm për vendin.
“Vlerësojeni vetë qytetarë të nderuar. Qeveria Kurti në këtë mandat nuk ka arritur as t’i plotësojë vendet e reja të punës. 7000 vende vakante i ka në administratë shtetërore. Cila është arsyeja që Qeveria nuk i përmbush këto vende vakante. Për AAK-në, katrahura që është krijuar nga Ligji i pagave tregon kulturën menaxhimin dhe qasjen që ka kjo Qeveri. Ne mendojmë që rishikimi duhet të ndodhë me urgjencë për eliminimin e mangësive që theks të veçantë kanë te koeficienti. Kërkesa jonë është reale. Nga 745 milionë euro, do të duhen 170 milionë më shumë. 80 mijë njerëz presin nga ju sot të reflektoni mbi kërkesën e Aleancës për rritjen e koeficientit në 129 euro”, ka thënë ai.

Zemaj: Buxhetin e shtetit e keni shndërruar në buxhet për lëmoshë
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se “buxhetin e shtetit e ka shndërruar në buxhet për lëmoshë”.
Zemaj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se zgjidhja është te “investimet kapitale”.
“Kjo Qeveri ka dëshmuar paaftësinë e saj. Sipas Bankës Botërore inflacioni në vendin tonë ka arritur deri në 20 për qind. Nëse inflacioni ishte i importuar, mosveprimi i Qeverisë e thelloi atë në të pandalshëm. Mbi 100 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin, shumica dërrmuese të rinj dhe të reja. Krizën energjetike e keni përcjellë me kriza ekonomike, deri te ato me efekte korruptive. Në kohën e krizës, arritët që edhe tatimin në pronë ta rrisni. Koeficienti i Ligjit të Pagës nuk iu përgjigj as normës së inflacionit. Buxhetin e shtetit e keni shndërruar në buxhet për lëmoshë. E lëmosha nuk është zgjidhje. Zgjidhje janë investimet kapitale”, tha Zemaj.




